Dokumente mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët
Ky projekt synon të krijojë kushte lehtësuese për studiuesit e historisë së trevave shqiptare.
Pjesa më e madhe e dokumenteve dhe burimeve për historinë e shqiptarëve dhe trevave shqiptare sot ruhen në arkiva dhe biblioteka të shteteve të huaja. Pjesa dërrmuese e këtij dokumentacioni ruhet në gjuhën latine dhe osmane. Dokumentacione dhe burime të rëndësishme janë edhe në gjuhën greke, tek-tuk edhe ato spanjolle, sllave dhe hebreje.
Fundi i shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX janë edhe periudha kur botimet dokumentare u ngritën në nivel akademik dhe pasuan një seri botimesh. Kjo traditë ka vazhduar deri më sot në intensitete të ndryshme. Tre akademikët e parë që realizuan botimin në dy vëllime të dokumenteve në gjuhët latine të botuara në revistat shkencore dhe botimet dokumentare deri në dekadën e parë të shekullit të XX qenë medievialistët Milan Shuflaj, Ludvig Taloci dhe Kostandin Jireçek. Botimi i tyre quhej Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I-II (Vjena 1913). Në këtë vepër ata botuan 1647 dokumente që mbulonin periudhën kohore 344-1406. Një kontribut të madh në këtë fushë ka lënë pas edhe prifti jezuit Giuseppe Valentini (Zef Valentini) me veprën e tij madhore Acta Albaniae Veneta saeculorum XIV et XV (Palermo 1967) ku në 25 fashikuj ai ka botuar mbi 5000 dokumente që ruhen në Arkivin e Venedikut dhe flasin për Shqipërinë e shekujve XIV dhe XV, si dhe Ignatius Parrino, me botimin Acta Albaniae Vaticana (Vatikan 1971), ku botoi 563 dokumente të shekullit XV-XVI që gjeti në arkivin e Vatikanit.
Një numër i madh dokumentesh për trevat shqiptare dhe shqiptarët gjenden edhe në Arkivin Osman të Stambollit, që mbulojnë periudhën mes shekujve të XV dhe dekadat e para të shekullit XX. Meqë botimi në shqip i këtyre dokumenteve kërkon kohë dhe ka kosto të lartë financiare, në këtë fazë është menduar që të përzgjidhen dokumentet sipas zonave (Elbasan, Korçë kanë përfunduar, Shkodra është në vazhdim) dhe të botohen në formën e një katalogu, ku akademikët, historianët, të interesuarit dhe të pasionuarit pas historisë do të mund të gjejnë të dhëna për çështje dhe personazhe specifike që i përkasin historisë shqiptarë nën sundimin osman. Faqja e internetit do të krijoje mundësinë për kërkime te shpejta dhe efektive të një baze të dhënash, që do të përmbajë të përkthyer në guhën shqipe treguesit e dokumentave mbi Shqipërinë dhe shqiptarët që ndodhen në arkiva të huaja. Me kalimin e kohës dhe kontributin e dashamirësve dhe studiuesve të historisë së trevave shqiptare, shpresojmë që baza e të dhënave të fillojë të plotësohet gradualisht edhe me vetë përkthimet e dokumentave apo regjistrave të veçantë që ndodhen në këto arkiva.
Të dhëna mbbi projektin
120000
Indekse të përkthyera
4
Libra të botuar
1
Bazë të dhënash