top of page

E drejta e diasporës shqiptare për të votuar - diskutim i hapur



Çështja e së drejtës së emigrantëve shqiptarë për të votuar në zgjedhjet e Shqipërisë, është shoqëruar ngaherë me paqartësi, debate e skepticizëm. Skepticizëm në radhët e shqiptarëve brenda e jashtë vendit për vullnetin e politikës shqiptare dhe kapacitetet që ofron infrastruktura ligjore e administrative e vendit për ta bërë të mundur atë; paqartësi, sidomos ndër shqiptarë të Shqipërisë, sa i takon ndryshimit midis të drejtës ligjore e mundësisë faktike (logjistike e ligjore) që hasin emigrantët që duan të votojnë, dhe kundërshti në lidhje me pikëpyetjen nëse shqiptarëve që banojnë jashtë vendit u takon apo jo e drejta për të ushtruar ndikim e për të patur fuqi përcaktuese në politikën shqiptare përmes votës. 

Veçanërisht në diskutime me shqiptarë të Shqipërisë, në rastin më të mirë vëren se pjesëmarrja e diasporës në votimet në Shqipëri perceptohet si një çështje që i përket vetëm shqiptarëve në emigrim dhe janë ata që duhet ta zgjidhin. Ka pastaj nga ata që mendojnë se emigrantët shqiptarë nuk duhet të marrin të drejtën për të zgjedhur përfaqësues në politikën vendore. Arsyet janë të ndryshme: fakti që nuk paguajnë taksa, fakti që nuk njohin situatën, problematikën dhe kandidatët zgjedhorë, etj.  

Në vazhdën e përpjekjeve disa vjeçare për të bërë të mundur votimin e emigrantëve nga jashtë Shqipërisë, në shkurt 2022, shoqata ‘Diaspora për Shqipërinë e Lirë’ depozitoi pranë Gjykatës Kushtetuese padinë me objekt “Konstatimi i cënimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë më 25 Prill 2021”, padi e cila kishte për objekt vendimin që pengoi emigrantët të votonin në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit (urdhërin për karantinimin 2 javor të emigrantëve që ktheheshin në Shqipëri (klikoni këtu për të lexuar akt-padinë).

Në dhjetor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, deklaroi në përgjigje të padisë, vendimin i cili ndër të tjera përfshin “Konstatimin e cenimit të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve, në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor” dhe “detyrimin e Kuvendit për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij vendimi” (klikoni këtu për të lexuar vendimin e Gjykatës). 

Ndonëse vendimi u prit si lajm i mirë nga komunitetet e diasporës dhe në përgjithësi nga ata që mbështesin idenë e votimit të diasporës, ende nuk dihet se ç’hapa do të ndiqen për zbatimin e tij dhe në përgjithësi, mbeten shumë pikëpyetje në lidhje me çështjen e mundësisë dhe të drejtës së emigrantëve për të votuar në Shqipëri.

Në 15 janar 2023, Diaspora për Shqipërinë e Lirë në bashkëpunim me Alternativën Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim (ACDA) organizuan një takim në Toronto, me synimin që ti japin përgjigje këtyre pyetjeve si dhe për të ngritur një platformë informimi e diskutimi lidhur me çështjen. Takimi është i pari në kuadër të një serie veprimtarish që ACDA synon të zhvillojë në ndihmë të saj në muajt që vijnë. 

Takimi trajtoi disa tema: prezantim të punës së DSHL; informimin për të drejtën e votës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese; diskutime dhe këmbime mendimesh me pjesëmarrësit lidhur me modalitete e problematika të zbatimit të vendimit të gjykatës, si dhe angazhimin e tyre në çështjet që prekin Shqipërinë (linku i video regjistrimit do ishte mire ketu).

Përtej skepticizmit lidhur me vendimin, diskutimet përçuan dëshirën që kjo punë të marrë zgjidhje, dhe sollën në vëmendje informacione e detaje me shumë vlerë për ecurinë e saj.

Skepticizmi nga ana tjetër, vërejtur jo vetëm në këtë aktivitet, por edhe në diskutimet mediatike jashtë e brenda vendit që kanë shoqëruar vendimin e fundit të Gjykatës dhe temën, tregon sa e nevojshme është që problematika në gjithë kompleksitetin e saj (mundësitë ligjore, mundësitë faktike, e drejta e emigrantëve për të ushtruar ndikim në politikën shqiptare), të sillet në vëmendje e të diskutohet, në një audiencë të gjerë shqiptarësh.

Në tërësi takimi ishte një tjetër tregues i interesit, përkushtimit dhe cilësisë së kontributit që komuniteti shqiptar jashtë Shqipërisë ka për ti ofruar vendit.

5 views0 comments

Comments


bottom of page