Ky vit shënon të 35-tin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kanadasë. Historia faktike e shkëmbimeve midis dy vendeve, megjithatë, daton shumë më herët dhe ndërsa prurjet e saj në Shqipëri kanë qenë më tepër në ekonomi e kapacitete teknike, në Kanada ato kanë qenë në burime njerëzore. Ndonëse shumë i vogël në krahasim me komunitetet e tjera që bashkëjetojnë në Kanada, ai shqiptar mbart një potencial të konsiderueshëm kulturor, të cilin ndër vite është përpjekur, ta përcjellë në vendin mikpritës.
Në frymën e këtyre përpjekjeve dhe të mirënjohjes për marrëdhëniet dypalëshe, cfarë më bukur mund ta kishte kremtuar përvjetorin e tyre, sesa një mbrëmje artistike me tingujt e muzikës shqiptare luajtur me mjeshtëri nga një prej orkestrave më virtuoze në Kanada?!
Në 20 dhjetor 2022, Orkestra Filarmonike e Torontos së Madhe ekzekutoi vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe kanadezë, në mbrëmjen e organizuar në Isabel Bader Theatre në qendër të qytetit të Torontos. ACDA kishte privilegjin të jetë pjesë e grupit që mundësoi mbrëmjen muzikore, së bashku me: Ambasadën e Republikës Shqiptare në Kanada, Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze, Albanian Canadian Excellence Society, Shoqatën e Avokatëve Shqiptaro Kanadezë, dhe RH Scholarship. Pjesët e përzgjedhura për koncertin ishin tinguj të njohur të veprave të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë: Çesk Zadeja, Thoma Gaqi dhe Ferdinand Deda, që kanë shoqëruar në vite shqiptarët ne veprimtari e festa në vendin e tyre. Të dëgjoje këto tinguj në sallën e qytetit të madh të sjellë me aq përkushtim e mjeshtëri nga trupa e muzikantëve kanadezë, ishte një tjetër lloj emocioni.
Trupa artistike ishte një grup muzikantësh kanadezë e shqiptarë, ndër të cilët: Qazim Kallushi, Drejtor Ekzekutiv i Orkestrës Filarmonike të Torontos së Madhe, vite më parë drejtues i Orkestrës simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar, dhe një nga nismëtarët e mbrëmjes, Entela Galanxhi (concertmaster, violinë e parë e orkestrës), maestro David Fallis, dirigjent, solisti Michael Bridge, i ftuar special.
Në mbrëmje, u shkëmbyen angazhime për “"thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit, në përputhje me vlerat dhe prioritetet e përbashkëta [të dy vendeve]", dhe vlerësime për “arritjet dhe kontributin e komunitetit shqiptar në shoqërinë kanadeze”, nga Robert Oliphant MP, anëtar i Parlamentit dhe Sekretar Parlamentar i Ministres së Punëve të Jashtme të Kanadasë, dhe Ermal Muça, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kanada.
Mbrëmja është pasqyruar në median televizive të komunitetit shqiptar të provincës së Ontarios, PASQYRA SHQIPTARE TV.
Comments