Në 15 tetor 2022, ACDA së bashku me RH Scholarship, organizuan premierën në Toronto të filmit dokumentar “Fluturat”, të regjizorit Bujar Alimani.
Filmi është një vepër e viteve të fundit që mëton të ngacmojë kujtesën kolektive për krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri duke sjellë në fakte nga jeta në internim e 21 grave, në vitet 60-90 fëmijë të familjeve të persekutuara nga qeveria komuniste.
Filmi dokumentar përcjell natyrën kriminale të diktaturës në Shqipëri, përmes përjetimeve e tregimeve të tyre të torturave, persekutimeve, kushteve cnjerëzore të jetës në kampet e internimit.
Zanafilla e këtij rrugëtimi ishte një takim ku producenti u njoh me 21 personazhet e filmit, historitë e tyre të persekutimit nga komunizmi, lidhjen e tyre të fortë shoqërore e shpirtërore, të cilën e mbanin gjallë përmes takimeve të rregullta, ndonëse të shpërndara nëpër botë. Ajo që lidhte gratë me njera tjetrën, ishin vitet e kaluara në internim bashkë në Sektorin Gradishtë (emërtimi zyrtar për vendin ku internoheshin familjet e dënuara nga qeveria komuniste). ‘Sektori Gradishtë’ ishte një territor me banesa me kushtet minimale të jetesës, në një zonë të izoluar të qytetit të Lushnjës.
Përndjekja e persekutimi, shpronësimi dhe internimi i “familjeve armike”, ishin ndër metodat që regjimi përdori për të eliminuar kundërshtarët politikë, përhapur terror dhe për të vendosur diktaturën. Për rreth 8 vite u mbajtën hapur 6 kampe përqëndrimi të rrethuar me tela që regjimi ngriti për të internuarit në disa zona të vendit, ku internoheshin kryesisht gratë, pleqtë dhe fëmijët e atyre që ishin arratisur, dënuar ose ekzekutuar. Gjatë viteve 1944-1990 rreth 20,000 familje u internuan për motive politike, ndër to 7022 persona të moshave të ndryshme, nga fëmijë deri në 80 vjeç humbën jetën në zonat e internimit.
Duke risjellë kujtimet e përjetimet e këtyre 21 grave nën diktaturën komuniste, Alimani na ngacmon që të shikojmë egërsinë e diktaturës edhe nga një tjetër prizëm, atë të grave në persekutim, dhe tregon se si vështirësitë dhe vuajtjet e këtij grupi ishin të një tjetër kalibri në Shqipërinë komuniste. Tregimet rrënqethëse të personazheve të dokumentarit ishin një dëshmi e vuajtjeve po aq sa e vlerave njerëzore: forcës, dinjitetit, qëndresës, solidaritetit.
Filmi shkaktoi emocione dhe mori përgëzime e vlerësime nga audienca si një shërbim i vyer që i bëhet historisë, kujtesës e ndërgjegjes kolektive shqiptare.
コメント