Me datë 24 nëndor 2023 me ftesë të Ambasadës Shqiptare në Kanada, patëm kënaqësinë të marrim pjesë në ceremoninë e ngritjes simbolike të flamurit në Queen's Park, Toronto, pranë Asamblesë Legjislative të Ontarios, ceremoni kjo që çeli edhe festimet për 111 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë nga komuniteti shqiptar në Kanada.
Me fillimin e ceremonisë në orën 11 am, pjesëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez, përfaqësues të organizatave të diasporës dhe të ftuar të tjerë, nderuan ngritjen e flamurit nën tingujt e himnit kombëtar kënduar nga artisti Aurel Thëllimi.
Fjalën e rastit e mbajti Ambasadori i Shqipërisë në Kanada, Shkëlqesia e tij Z. Ermal Muça. Më pas Billy Pang, Anëtar i Parlamentit të Ontarios dhe Asistent Parlamentar i Ministrit të Emigracionit dhe Multikulturalizmit përcolli përshëndetjet e Kryeministrit të Ontarios. Ceremonia vazhdoi në ambjentet e brendshme të Asamblesë Legjislative të Ontarios ku ku muzikantët Entela Galanxhi dhe Qazim Kallushi dhanë një shfaqje me vepra nga kompozitorë shqiptarë, të njohura dhe të dashura për publikun.
Gjithashtu të rinjtë e grupit të valleve të Misionit Shqiptar Shën Nënë Tereza në Toronto, me koreografe Denajda Dhrimaj, sollën për të pranishmit valleve tradicionale shqiptare. Për mbarëvatjen e ceremonisë u kujdesën ACE Society, Albanian Canadian Lawyers Association (ACLA), RH Scholarship dhe Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze si dhe moderatorët Tea Haxhillari dhe Grejdi Meta.
Comments